SHBA, i dyshuari i bombave ishte denoncuar nga i ati si “terrorist”

20/09/2016 00:00

Babai i të dyshuarit kryesor për bombat e pashpërthyera të Nju Xhersit, Ahmad Khan Rahami, bëhet e ditur se i ka telefonuar policisë në vitin 2014 për të denoncuar djalin e tij si një “terrorist”. Lajmi bëhet i ditur nga një zyrtar amerikan, që ka njohuri për hetimet, për “BBC”-në.

Mohammad Rahami njoftoi autoritetet e rendit pas një grindjeje në shtëpi, duke shprehur shqetësimin se i biri ishte një ekstremist, përpara se ta tërhiqte kallëzimin. Menjëherë pas denoncimit, FBI-ja kishte hetuar dhe në fund përcaktoi se djali i Rahamit nuk përbënte kërcënim terrorist.

E pavarësisht kësaj, dy vite më pas ai po hetohet si i dyshuari i një “akti terrorist” për shkak të shpërthimeve të ndodhura ditën e shtunë në Nju Xhersi dhe Nju Jork, sipas asaj që bëjnë të ditur prokurorët.

Deklarata e parë e Mohammad Rahamit se i biri ishte terrorist u bë për policinë e Nju Xhersit, pasi Ahmadi u arrestua si i akuzuar për goditjen me thikë ndaj vëllait tjetër në vitin 2014.

Informacioni, gjithsesi, i është kaluar “task force”-s ndaj terrorizmit të FBI-së në Neëark të Nju Xhersit. “Dy vite më parë shkova në polici sepse djali im ishte sjellë keq”, tha babai për “New York Times”. “Megjithatë, ata hetuan për rreth dy muaj dhe më thanë se djali ishte në rregull, nuk ishte një terrorist. Tashmë ata thonë të kundërtën, ndërsa mua më mbetet t’u them në rregull”, tha ai për gazetën në fjalë.

Në deklaratën e para dy viteve, babai ishte shprehur se djali i tij po kalonte shumë kohë me kriminelë, siç shprehet një zyrtar i agjencive ligjzbatuese për “Associated Press”. Ky shton gjithashtu se autoritetet përcaktuan në atë kohë se Ahmad Khan Rahami nuk kishte lidhje me organizata terroriste.

Ndërkaq, një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë tha për BBC-në se tashmë u janë rikthyer kontrolleve të atij episodi të dy viteve më parë “për të parë nëse duhet nxjerrë ndonjë mësim”.

Edhe pse Rahami nuk ka qenë në ndonjë listë mbikëqyrjeje për arsye terrorizmi, autoritetet thonë se janë duke hetuar nëse ai është radikalizuar gjatë udhëtimeve të tij të fundit në Pakistan dhe Afganistan. Gjithsesi, mësohet se i dyshuari i ka kaluar me sukses testet e kontrollit sa herë që është rikthyer në tokën amerikane nga udhëtimet.

Top Channel