Rikthehet ferri në Aleppo, OKB ndalon karvanët e ndihmave

20/09/2016 00:00

Kombet e Bashkuara pezulluan lëvizjen e të gjithë kamionëve të tyre me ndihma në Siri, pas bombardimit të autokolonës në Aleppo, ku mbetën të vrarë 12 civilë.

Sulmet nga ajri shkatërruan 18 nga 31 kamionë të mbushur me grurë, veshje dimri dhe ilaçe. Goditja ajrore erdhi pak orë, pasi ushtria njoftoi se armëpushimi i ndërmjetësuar nga Amerika dhe Rusia kishte përfunduar.

Uashingtoni tha se, nga ky moment do ta rishikojë perspektivën e bashkëpunimit me Moskën, ndërsa kryediplomati John Kerry i bëri thirrje kësaj të fundit të frenojë Bashar al-Assadin.

“Marrëveshjen nuk e bënë sirianët, marrëveshjen e bënë rusët. Ndaj ajo që ne duhet të shohim është se çfarë do të thonë tani rusët. E rëndësishme është që ata të kontrollojnë Assadin, që është lëshuar pa dallim në bombardime, duke përfshirë te shënjestrat e tij edhe autokolonat humanitare”, tha Kerry.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby sqaroi se, si regjimi sirian, ashtu edhe Federata Ruse e dinin shumë mirë destinacionin e kamionëve me ndihma. “E megjithatë, – shtoi ai, – punonjësit e ndihmës u qëlluan dhe u vranë, ndërkohë që tentonin të lehtësonin sadopak situatën e rënduar të banorëve të zonës”.

Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, sulmet ajrore mund të jenë ndërmarrë edhe nga avionë rusë. Nga sa pohon shefi i ndihmave në OKB, Stephen O’Brien, nëse goditja provohet të ketë qenë e qëllimshme, atëherë ajo mund të konsiderohet krim lufte.

Top Channel