Bëmë baba, të të ngjaj. Edhe djali i Trumpit kundër refugjatëve

20/09/2016 00:00

Mesa duket, në familjen Trump e kanë në gjak ndezjen e debateve. Djali i madh i miliarderit njujorkez shkaktoi një furtunë të vërtetë në mediet sociale, me paralelen e hequr mes refugjatëve sirianë dhe karameleve me shije frutash, “Skittles”.

Duke u përpjekur të shpjegojë përse Shtetet e Bashkuara nuk duhet të pranojnë më refugjatë të tjerë, Donald Trump Jr. ngriti këtë pyetje në profilin e tij në “Twitter”:

“Nëse do të kishit një tas me ‘Skittles’ dhe do t’iu thuhej se vetëm 3 prej tyre do t’iu vrasin, do ta mbushnit grushtin? Ky pra është edhe problemi ynë me refugjatët sirianë”.

Më tej, i pari i fëmijëve të Trumpit shkruan se, pamja shoqëruese e komentit të tij i thotë të gjitha. “Le t’i japim fund agjendës politikisht korrekte, që nuk e vendos Amerikën në plan të parë”, shkruan ai.

Analogjia e ushqimit është përdorur edhe më parë për të treguar se kur ka disa persona problematikë brenda një grupi njerëzish, atëherë do të ishte e rrezikshme të pranoje sikur edhe vetëm një prej tyre.

Reagimet vërshuan nga të gjitha anët, duke nisur me vet kompaninë prodhuese “Wrigley”, e cila tha se “Skittles” janë karamele, ndërsa refugjatët janë njerëz. Shumë përdorues të “Twitter”-it, nga ana tjetër, postuan në profilet e tyre pamje të fëmijëve sirianë, shoqëruar me komentin: ky nuk është një “Skittle”.

Top Channel