Sulmi në Manhatan, policia arreston të dyshuarin

19/09/2016 00:00

Ahmad Khan Rahami, i dyshuari për sulmet me bomba në Nju Jork dhe Nju Xhersi ra në pranga pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Përballja ndodhi në zonën Linden në Nju Xhersi, në afërsi të qytezës Elizabet ku i dyshuari jetonte dhe ku u gjetën pajisje shperthyese të dielën.

28-vjeçari Rahami me nënshtetësi amerikane, i lindur në Afganistan, ishte identifikuar nga autoritetet vetëm pak orë më parë si i dyshuari për sulmet.

Autoritetete amerikane i dërguan një mesazh telefonik miliona njujorkezëve të hënën në mëngjes me të cilin i lajmëruan se i dyshuari ishte Ahmad Khan Rahami. Policia kërkonte ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij, ndërsa i paralajmëronte ata që ta konsideronin të dyshuarin të armatosur dhe të rrezikshëm.

Shkëmbimi i zjarrit me policinë para se të arrestohej, tregon se paralajmërimi ishte mëse i saktë. Veç bombat që shpërthyen, autoritete gjetën edhe mjete të tjera eksplozive artizanale dhe dyshohet se për të gjitha është përgjegjës Rahami, pasi këto pajisje kishin ngjashmëri mes tyre.

Megjithëse hetuesit deri tani thonë se nuk kanë informacione që të dyshojnë se Rahami është i lidhur me grupet terroriste ndërkombëtare, guvernatori i Nju Jorkut, Endrju Komo, tha se kjo ishte një mundësi.

Top Channel