Manhatani i poshtëm u shndërrua për pak orë në Paris, ndërsa mijëra njerëz të veshur me të bardha u mblodhën në një piknik të frymëzuar nga kryeqyteti francez me maska e paruke të Maria Antonietës.

“Diner en blanc” apo “darkë me të bardha” është një traditë e nisur në Paris 30 vjet më parë, e që josh rreth 10 mijë njerëz në 70 qytete të globit. Vendi i grumbullimit u njoftua vetëm pak minuta para nisjes së aktivitetit për të ftuarit që ishin regjistruar më herët.

Pasi mbërritën të gjithë, rreth orës 19:00, të ftuarit tunden shamitë e tyre të bardha në ajër për të sinjalizuar nisjen e eventit që për herë të parë u mbajt në Nju Jork në vitin 2011.

Pjesëmarrësit të cilët kishin marrë me vete karriget e tavolinat u ulën pranë lumit Hudson, trokitën gotat me shampanjë në perëndim dhe vallëzuan gjithë natën nën tingujt e muzikës së Django Reinhardt.

Shefi i njohur i kuzhinës, Todd English, u shërbeu të ftuarve salmon të zier dhe “dun dun nodles”. Çmimi për person ishte 37 dollarë. 20 qytete në SHBA organizojnë këtë vit “Diner en Blanc”, duke përfshirë për herë të parë Las Vegasin, Orlandon dhe Sakramenton.

Sipas organizatorëve, aktiviteti nuk ka asnjë axhendë politike apo ideologjike, dhe qëllimi i tij i vetëm është të argëtojë ata njerëz që duan të kalojnë një mbrëmje magjike.

FOTO GALERI
1/19

Top Channel