Protesta ne Gjermani, kundërshtohet marrëveshja tregtare me SHBA-të

17/09/2016 00:00

Me dhjetëra mijëra vetë kanë dalë në rrugët e qyteteve të Gjermanisë për të kundërshtuar marrëveshjen tregtare transatlantike mes BE-se dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për demonstruesit, TTIP apo Partneriteti i Tregtisë dhe Investimeve do të ul standardet europiane të ushqimeve dhe mbrojtjen e mjedisit, e mund të çojë ndër të tjera edhe drejt shkurtimit të vendeve të punës.

Mbështetësit e propozimit nga ana tjetër premtojnë reduktim të tarifave dhe nxitje të rritjes ekonomike.

“Nuk e kuptoj fare sesi parlamentarët tanë pranojnë të dërgohen në një zyrë të vogël për dy orë ku i lejohet të lexojnë për marrëveshjen TTIP, por nuk mund të marrin shënime ndërsa ne si publik nuk kemi asnjë informacion mbi këtë marrëveshje. Kur negociohen gjëra të tilla kaq të rëndësishme, duhet marrë edhe mendimi i popullit. Kjo është demokracia për mua”, tha Carsten Strauch, protestues.

“Ne do të donim që tregtinë ta përcaktojë demokracia dhe jo e kundërta. Mund ta shikoni sesa shume njerëz janë mbledhur, është hera e tretë që vijnë këtu. Atyre nuk u pëlqen kjo që po ndodh”, tha një tjetër.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i nisin në vitin 2013 negociatat mbi marrëveshjen që Barack Obama kërkon ta vulosë përpara se të lërë postin e presidentit në muajin janar.

Fale marrëveshjes TTIP, Amerika synon t’i eksportojë më lehtë produktet e saj, dhe në sektorin bujqësor kjo nënkupton më së pari prodhime të manipuluara gjenetikisht.

Top Channel