Sfilata njujorkeze me “hijab”

16/09/2016 00:00

E ndërsa veshjet myslimane janë kthyer në një temë debati botëror, një koleksion veshjesh i prezantuar në Nju Jork, ku të gjitha modelet kanë sfiluar me “hijab”, ka thyer të gjitha pritshmëritë.

Stilistja Anniesa Hasibuan, e cila jo rastësisht kishte projektuar një sfilatë të tillë, është përgëzuar tej mase për atë që e kanë cilësuar si një lëvizje të rëndësishme, për të kthyer “hijab”-in në modë.

E frymëzuar nga vendlindja e saj, Xhakarta, veshjet ishin tepër moderne, të gërshetuara me motive qendisjeje dhe kombinim copash të ndryshme. Në fund të sfilatës, të gjithë të pranishmit e duartrokitën gjatë koleksionin.

Anniesa Hasibuan tha se, pas këtij suksesi fshihet puna e një skuadre të madhe. Disa firma të njohura veshjesh kanë filluar të marrin disa motive nga veshjet myslimane, mes të cilave sigurisht trendi i këtij viti është të jesh më shumë e mbuluar sesa e zbuluar.

Indonezia shihet si një vend i guximshëm, sa i përket sjelljes së risive në veshjet myslimane. Për shumë gra myslimane, “hijab”-i nuk është vetëm një simbol, por është pjesë e identitetit të tyre. Një identitet, të cilin e kanë pranuar me shumë besim.

Top Channel