Ishmi, 3 dosje hetimore. Italiani Guidi hetohet i lirë, por hetim edhe për nxjerrje sekreti

16/09/2016 15:10

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar hetimet për dyshimet e trafikut ndërkombëtar të drogës të ngelur në tentativë, pas uljes së avionit “Piper” në grykëderdhjen e Ishmit. Por, ndërkohë, piloti italian i ndaluar gjatë ditës se enjte, për momentin zyrtarisht do të hetohet në gjendje të lirë për veprën e kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ky vendim i prokurorisë, mesa duket, është marrë për shkak të moshës së Guido Andrea Guidit, i cili është 69 vjeç, si edhe për shkak se kalimi i paligjshëm i kufirit konsiderohet si kundravajtje. Prokuroria i ka sekuestruar pasaportën shtetasit italian, çka do të thotë se ai e ka të ndaluar të lërë territorin shqiptar, pasi duhet të jetë në dispozicion të hetimeve që po zhvillohen.

Grupi i hetimit i dërgoi gjatë ditës kompanive celulare kërkesën për të marrë informacion mbi komunikimet e pilotit Guidi, në mënyrë që të vërtetojë se cilët ishin personat me të cilët ai ka folur pas uljes së avionit “Piper” në pistën e grykëderdhjes së Ishmit. Çka tregon se ai po hetohet edhe për pistën e trafikut të drogës në tentativë. Gjithashtu, në rrugë jozyrtare u tha se pritet informacion edhe nga autoritetet italiane për pilotin, e kaluara e të cilit rezulton problematike me ligjin.

Prokuroria nuk ka marrë ende vendim për ta larguar avionin e dëmtuar, pasi po kryhen rikqyrje të vendit të ngjarjes dhe për këtë arsye ai do të vijojë të ruhet nga policia.

Por, paralelisht ka edhe një hetim të tretë. Prokuroria po heton nxjerrjen e sekretit hetimor për katër personat që kanë marrë në pyetje pilotin italian, prokurori i çështjes, një efektiv i policisë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore. Kjo, pas daljes së informacionit në media mbrëmjen e së enjtes. Dyshimi është se lajmi ka dalë thuajse në kohë reale me dëshminë.

Top Channel