Projektet Tiranë-Prishtinë, Veliaj takon Ahmetin

14/09/2016 00:00

Tirana dhe Prishtina do të rrisin bashkëpunimin mes tyre për përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy kryeqyteteve shqiptare, por edhe për të mundësuar një organizim më të mirë të të gjitha bashkive që drejtohen nga shqiptarët në rajonin e Ballkanit.

Kjo ishte tema kryesore e diskutimit të djeshëm mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Bisedë u fokusua edhe te shkëmbimi i praktikave më të mira mes dy njësive vendore shqiptare dhe zbatimin e tyre në në të mirë të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zhvillimin urban të dy qyteteve.

Veliaj dhe Ahmeti mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën vlerësuan si të domosdoshëm shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve në lidhje me mënyrën se si mund të përmirësohen më tej shërbimet ndaj qytetarëve, nisur edhe nga fakti se problematikat urbane me të cilat përballen sot Tirana dhe Prishtina janë të ngjashme.

“Tirana është më e madhe se Prishtina, por problemet i kemi të ngjashme, prandaj edhe kemi diskutuar për projekte të përbashkëta, shkëmbime të përvojave tona, dhe besoj se në këto dy ditë do të konkretizojmë disa nga këto plane.”, deklaroi kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi homologun e tij për mikpritjen dhe theksoi se e rëndësishme për ta si drejtues të punëve vendore është të përqendrohen te puna dhe zbatimi i projekteve që sjellin përmirësim në jetën e qytetarëve.

“Sfida jonë si kryetarë të njësive vendore është të mbetemi të fokusuar, por edhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Shpeshherë në politikën tonë mundohemi të shpikim rrotën ose të kopjojmë si e bëjnë të tjerët, kryesisht perëndimorët. Por, më mirë se sa e njohim ne mentalitetin tonë nuk e njeh askush tjetër dhe jam këtu që të mësoj. Jam këtu që të ndaj me ekipin tonë disa gjëra që kanë funksionuar në Tiranë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës do të vijojë takimet e tij me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosoves, me Kryeministrin Mustafa dhe Presidentin Hashim Thaçi.

Top Channel