Meta takon homologun britanik, vlerësohen marrëdhëniet mes dy vendeve

14/09/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vijon vizitën e tij zyrtare në Londër, ku këtë të mërkurë u prit nga homologu i tij britanik, John Bercow.

Në bashkëbisedimin mes dy kryeparlamentarëve, Meta vlerësoi mbështetjen që Britania e Madhe ka dhënë dhe jep për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Shqipëria është krenare per lidhjet e ngushta dhe historike me Britaninë”, tha Meta.

Nga ana e tij, Bercow vlerësoi integrimin e komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe dhe tha se veç tyre, dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta strategjike edhe si partnere në NATO. Në lidhje me reformën në drejtësi, Bercow vlerësohet vota konsensuale e korrikut.

Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian nuk shihet si pengesë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, madje Bercoë tha se Londra dëshiron forcimin e mëtejshëm të tyre. Në fund, Meta ka ftuar homologun britanik për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Meta zhvilloi një takim edhe me ministrin britanik për Çështjet e Brendshme, Ben Wallace. Meta dhe Wallace vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Britanisë në fushat e sigurisë, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ndanë bindjen e përbashkët se ky bashkëpunim duhet intensifikuar dhe forcuar më tej.

Në këtë kuadër, Meta vuri në dukje se miratimi i paketës kushtetuese për reformimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri i shërben jo vetëm çështjeve me interes të përbashkët, por edhe klimës së biznesit dhe investimeve në vend.

Nga ana e tij Wallace theksoi se Britania e Madhe ka vullnet maksimal për të konsoliduar bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, trafiqeve ilegale dhe luftës ndaj krimit të organizuar. Në këtë drejtim u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë në interes të paqes dhe sigurisë rajonale.

Top Channel