Tiranë, gjendet një kufomë e dekompozuar pranë Selitës

12/09/2016 00:00

Skeleti i një personi është gjetur një ditë më parë në Kodër Selitë të kryeqytetit nga një banor i zonës, i cili ka lajmëruar menjëherë policinë e Tiranës.

Nga verifikimet e para rezulton se trupi i përket një mashkulli rreth moshës 20 deri 25 vjeç. Pjesa e kokës është gjetur e ndarë nga skeleti, por megjithatë në kafkë nuk janë konstatuar dëmtime.

Dëmtimet janë konstatuar në trupin e viktimës, të cilat mund të jenë shkaktuar edhe nga kafshët, pasi skeleti u gjet në një zonë të thellë të pyllëzuar të kryeqytetit. Sipas policisë, skeleti është të paktën mbi 1-vjeçar dhe është dërguar tashmë në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.

Policia ka nisur hetimet për rastin si dhe po verifikohet regjistri i personave që rezultojnë të zhdukur. Identifikimi i viktimës paraqet vështirësi për shkak të dekompozimit të trupit.

Nga verifikimet e para përjashtohet mundësia që trupi t’i përkasë ndonjë banori të zonës ku gjet.

Top Channel