Marrin fund radhët. Shiten librat, por ka mungesa të disa titujve

11/09/2016 00:00

Ndonëse nuk ka më radhë të nxënësve për të blerë librat për vitin e ri shkollor, dy ditë para se të fillojë procesi mësimor, nxënësit thonë se ka disa mungesa tekstesh kryesisht të gjuhëve të huaja.

“Nga klasa e katërt me mungon vetëm Anglishtja. Të tjerat i kam marrë të gjitha”, thotë një nxënës.

“Hidhem në klasën e gjashtë dhe nuk i kam marrë të gjitha librat. Më mungon Qytetaria dhe Frengjishtja”, thotë një nxënëse.

“Më mungonin 3 libra dhe jam duke shkuar t’i marr. Matematika, Aftësimi Teknologjik dhe Anglishtja më mungojnë”, thotë një tjetër nxënës.

Nëpër librari thonë se vonesat për disa tekste u krijuan vetëm për shkak të pullës fiskale, çfarë bëri që prindër dhe nxënës të merrnin një pjesë të librave në fillim të këtij procesi, për t’u rikthyer për të marrë pjesën tjetër më vonë.

“Deri mbrëmë jemi furnizuar me shumë libra. Ka ngelur një pakicë librash pa ardhur. Jo se mungojnë në treg, por ka mbaruar përkohësisht furnizimi i parë dhe presim të tjerat”, tha një librashitëse.

Për sistemin parauniveristar, dita e parë e shkollës është të martën më 13 shtator.

Top Channel