Qiproja e ndarë etnikisht, tashmë edhe me zona orare të ndryshme

09/09/2016 00:00

Qipriotët turq të shkëputur kanë zgjedhur të ndjekin vendimin e Turqisë për të mos i kthyer mbrapsht akrepat e orës me 60 minuta gjatë muajit të ardhshëm, kur t’u vijë fundi muajve me orën diellore.

Ky vendim nënkupton se ishulli i ndarë etnikisht i Qipros do të jetë i përçarë edhe në dy zona të ndryshme kohore, për një pjesë të konsiderueshme të këtij viti, deri në marsin e 2017-s.

Presidenti qipriot, Nicos Anastasiades kritikoi këtë vendim gjatë së premtes, duke thënë se përmes tij dërgohet mesazhi i gabuar, në një kohë kur të dyja palët janë përfshirë në një periudhë bisedimesh të vështira për ribashkim.

Ai tha se kjo nënkupton se negociatat do të marrin një “copë të Turqisë” në rastin e krijimit të Qipros së bashkuar në të ardhmen.

Ishulli i Qipros, i cili ndjek prej kohësh ndryshimin e orës diellore, u nda në vitin 1974, kur Turqia mësyu ishullin pas një grushti shteti, i cili synonte bashkimin e tij me Greqinë.

Edhe sot, vetëm Turqia e njeh pjesën veriore të banuar nga qipriotët turq. Vetëm një ditë më parë, Ankaraja vendosi se nuk do ta ndjekë më ndryshimin e orës dhe nuk do t’i kthejë akrepat 60 minuta prapa më 30 tetor, kur shumica e vendeve të Europës ta bëjë diçka të tillë.

Top Channel