Vendet e Europës jugore, Tsipras: Përballje disproporcionale me krizat

09/09/2016 00:00

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka drejtuar këtë të premte një samit me liderët e shteteve jugore të BE-së, gjatë të cilit ka bërë thirrje për intensifikimin e politikave të zhvillimit ekonomik në këto vende.

Tsipras ka nënvizuar gjithashtu se, vendet në fjalë duhet të kenë një rol më të madh në parashtrimin e vizioneve për të ardhmen e Europës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin francez, kryeministrin italian dhe liderë të tjerë, Tsipras ka thënë se, deklarata e nënshkruar në këtë samit nuk përbën një ndarje nga pjesa tjetër e BE-së.

Përkundrazi, ka theksuar ai, ajo është një nismë bashkimi kundër forcave nacionaliste dhe pro zhvillimit ekonomik, “në mënyrë që Europa të mos jetë një makinë ku funksionojnë vetëm frenat”.

“Vendet tona në vitet e fundit janë goditur në mënyrë disproporcionale nga kriza ekonomike. Ato janë në vijën e parë të Shengenit dhe  përballen me presionin migrator dhe flukset e refugjateve. Ato ndodhen në kufij me rajonet e destabilizuara të Afrikës dhe Lindjen e Mesme. Me fjalë të tjera, ne e kemi gjetur veten në vijën e parë të krizave paralele që kanë testuar Europën”, ka thënë Tsipras.

Në të njëjtat linja, presidenti Francois Hollande ka deklaruar se, “e ardhmja e Europës është në rrezik dhe vendeve të Mesdheut u duhet një pakt zhvillimi, uniteti dhe kohezioni, për të mirën e të gjithë BE-së”.

“Europa nuk mund të vazhdojë më të operojë me masa shtrënguese, apo rregulla të teknokratëve dhe burokratëve”, ka theksuar nga ana tjetër kryeministri italian, Matteo Renzi.

Ndërkohë, eurodeputeti gjerman Markus Ferber ka kritikuar samitin duke shprehur shqetësimin se, pas daljes së Britanisë nga BE-ja vendet e Europës jugore do të krijojnë një koalicion që nuk do të jetë i gatshëm të ndjekë reformat e përbashkëta, duke kërcënuar kështu stabilitetin financiar të kontinentit të vjetër.

Edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble e ka quajtur samitin një grupim socialist që nuk ka dalë në një përfundim konkret, ndërkohë që kritikat janë pasqyruar edhe në artikuj të shumtë të shtypin europian.

Top Channel