Zgjedhjet në Dibër; PS denoncon dhunën. PD: I shkarkuari për korrupsion po blinte vota

08/09/2016 00:00

Është nxehur fushata në Diber vetëm 3 ditë para se atje të votohet për kryetarin e ri të bashkisë. PS denoncoi dhunimin e administratorit të njësisë Tomin nga militantet e PD-së. Nga ana e saj PD as e pohon dhe as e mohon rastin e dhunës, por denoncon atë që e quan shpërndarje të parave për të blere votën, ku sipas opozitës ishte i përfshirë edhe Nuri Meda, i cili sipas PD është shkarkuar për korrupsion.

Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit të majtë në Dibër denoncoi në mbrëmjen e së enjtes rrahjen dhe dhunimin në fshatin Pilafe të administratorit të njësisë Tomin, 56 vjeçarit Nuri Meda në momentin qe ai ishte duke kryer detyrën.

Meda ndodhet aktualisht në Spitalin e Dibrës në gjendje të rëndë.

Në deklarate thuhet se, dhunimi u krye  në kohën kur disa eksponentë të PD me në krye Dritan Selishtën dhe grupin e koordinuar nga Agron Kuliçi ishin në veprim duke shpërndarë para për të blerë vota dhe te të kapur në flagrancë goditen barbarisht administratorin e komunës Tomin.

“Hordhitë e PD-së, me në krye Lulzim Bashën po ushtrojnë terror në Dibër. I bëj thirrje Bashës të tërheqë falangat e krimit nga Dibra, ndërkohë që drejtësia të marrë masa në mënyrë që të evitohet dhuna”, u shpreh ministri Damian Gjiknuri, ndërsa theksoi se fitorja e doktor Ramës është e sigurt në datën 11 shtator.

Shtabi i koalicionit të majtë thotë se, deputetët e PD-së, kanë marrë në mbrojtje Dritan Selishtën, autorin kryesor të dhunës dhe pengojnë policinë të kryejnë detyrën.

Ndërkohë që shtabi elektoral i PD-së, me një deklarate thotë të kundërtën, edhe pse nuk e mohon dhe as nuk pohon që të ketë patur dhunë.

Për PD, në fshatin Pilafë ishte Nuri Meda që po shpërndante para nën mbrojtjen dhe shoqërimin e policisë së drejtuar nga Bert Aga.

Në deklaratë thuhet se, administratori i njësisë Tomin, Nuri Meda së bashku me shtetasin Shefki Ademi nën mbikqyrjen e policise po shperndanin para.

Ata thotë PD, janë kallëzuar penalisht prej saj në prokurori me date 1 shtator si anëtarë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës.

PD i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal.

Ata i bën thirrje strukturave të saj, të kryejnë ndalimin e çdo personi qe angazhohet ne blerje votash.

Në një reagim të mëvonshëm PD deklaron se Meda ka qenë shkarkuar për korrupsion dhe është rikthyer në detyrë si eksponent i PDIU-së.

Deklarata e Partisë Demokratike
Nuri Meda i kapur sonte duke shpërndarë para në këmbim të votës në Dibër, është shkarkuar dy muaj më parë nga detyra e administratorit të Tominit, për korrupsion. Por një muaj me pas, i shkarkuari për korrupsion rikthehet në detyrë kësaj radhe si përfaqësues i PDIU.

Meda nisi direkt punën e tij për të blerë vota, krim që e kishte kryer edhe ne zgjedhjet e vitit 2015. Ky person me precedent në vjedhje, ryshfet dhe blerje votash po tentonte sonte të bënte të njëjtën gjë derisa u ndalua nga qytetarët e Tominit.

Meda është pjesë e bandës kryesore për dhunimin dhe blerjen e votës, denoncuar nga PD në prokurori një javë më parë si pjesë e grupit te strukturuar kriminal për blerje votash në Dibër.

Hajdute dhe dhunues të votës së lirë si Meda janë njerëzit dhe alternativa e Edi Ramës, që do të marrë përgjigjen e merituar të dielën më 11 shtator.

FOTO GALERI
1/6
Administratori i dhunuar, Nuri Meda

Top Channel