Erdogan: Turqi-SHBA, gati të luftojnë së bashku ISIS

07/09/2016 00:00

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan ka deklaruar se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë gati të dëbojnë Shtetin islamik nga bastioni i tyre në qytetin sirian Raka.

Erdogan tha se homologu i tij Barack Obama hodhi idenë e aksioneve të përbashkëta kundër militantëve në takimin dypalësh të zhvilluar gjatë samitit të G20-s në Kinë.

“Turqia nuk do ta kishte problem një aksion të tillë”, tha Erdogan.

Muajin e kaluar Turqia ndërmori një operacion në territorin sirian, duke vënë në shënjestër si militantët e ISIS ashtu edhe ata kurdë.

Milicia pro-turke e detyroi Shtetin Islamik të largohet nga qyteti kufitar Jarablus, por Ankaraja është e shqetësuar për avancimin e njësive kurde, të cilat i konsideron si terroriste.

Ofensiva ndërkohë vazhdon dhe zv.kryeministri Nurettin Canikli bëri me dije se trupat turke mund të depërtojnë më thellë në Siri, pasi kanë siguruar një zonë territoriale përgjatë kufirit.

Ministri tha gjithashtu se, 110 militantë të ISIS dhe milicisë kurde së bashku janë vrarë që nga fillimi i operacionit. Ndërkohë, Rusia, aleate e presidentit Bashar al Assad, u shpreh “shumë e shqetësuar” nga ndërhyrja turke.

Top Channel