Certifikimi i prodhimeve bio, ligj i ri për krijimin e markave të produkteve bujqësore

07/09/2016 00:00

Fermat bujqësore që duan të prodhojnë produkte bio do i nënshtrohen kontrollit të shtetit. Qeveria ka dërguar një projektligj në parlament, i cili do të përcaktojë se si do të prodhohen dhe certifikohen produktet biologjike.

“Ligji krijon kuadrin e qartë se pari se çfarë quhet prodhim bio dhe së dyti si shkohet tek prodhimi bio, që nga fidanët që nuk duhet të jenë omgj, inputet që nuk duhet të jenë kimike, por vetëm plehu organik e deri tek ambalazhimi”, shprehet ministri Panariti.

Ligji është kërkesë e bashkimit europian. Por sipas Panaritit, ai synon ti orientojë fermerët drejt prodhimeve bio.

“Për t’u futur në tregje brenda apo jashtë vendit, kërkohet një certifikim i saktë dhe rigoroz i procesit të prodhimit biologjik, por avantazhi është që një prodhim biologjik mund të shitet 4 apo 5 herë më shtrenjtë se një prodhim konvencional. Për këtë tregjet janë të garantuara, madje ne nuk kemi kapacitete për të mbuluar kërkesat e tregut”, shprehet Panariti.

Pas miratimit të ligjit, ministri i Bujqësisë thotë se qeveria do të miratojë edhe një skemë të posaçme nxitje për fermat e prodhimeve biologjike.

“Për të gjitha ato ferma që do t’i futen prodhimit organit do të ketë lehtësira fiskale dhe subvencionim. Ne jemi të bindur se prodhimi organik ka avantazh, për Shqipërinë të paktën”, thotë ministri.

Aktualisht Shqipëria ka rreth 200 ferma të vetëshpallura si biologjike, nga të cilat vetëm 30 janë të certifikuara. 

Top Channel