Rrëzimi i avionit në Shkup, viktimat ishin italianë dhe kosovari me dyshtetësi

07/09/2016 00:00

Tragjedia e avionit të vogël privat “Piper” të nisur nga Treviso drejt Prishtinës, por që humbi nga radarët e Kullës së Kontrollit të Aeroportit të Shkupit, ku do të ndalej për furnizim me karburant, ditën e sotme ka vijuar me të dhëna të reja nga mediet italiane.

Në bordin e tij ndodheshin 6 italianë, sipas asaj që theksojnë “TGCom” dhe “Corriere”, ndërsa njëri prej tyre kishte dyshtetësi, pra edhe atë kosovare. Asnjëri prej pasagjerëve në bordin e avionit që ra në zonën e Velesit, por që ishte regjistruar në Gjermani, nuk ka mbijetuar.

Në bord gjendeshin 5 pasagjerë dhe piloti Francesco Montagner, president i Shoqatës amatore sportive “Aeroclub Treviso”. Në të ndodhej edhe zv.presidenti i kësaj shoqate, Dario Bastasin, sikurse edhe Luca Dalle Mulle, Angelo Callegari, Ilaria Berti, por edhe Visar Begaj, një kosovar me shtetësi italiane. Viktimat banonin të gjithë në provincat e Trevizos, Padovas dhe Udines.

Grupi në fjalë kishte programuar një udhëtim për çështje biznesi të lidhura me aktivitetin e “Aeroclub Treviso”, e nga sa u bë e ditur nga mediet kosovare priteshin të shkonin në përvjetorin e themelimit të Qendrës Aeronautike të Kosovës në Istog, gjatë së mërkurës. Avioni ishte ngritur në fluturim nga Aeroporti i Trevizos të martën, nga ku ishin nisur 4 fluturime gjithsej: dy për një Prishtinë dhe dy të tjerët për në Shkup. Të gjithë mbërritën në destinacionet e tyre, përveç “Piper”-it të drejtuar nga presidenti i “Aeroclub Treviso”.

Njoftimet e para mbi rrëzimin e avionit mbërritën nga Mitko Ciavkov, drejtor i Shërbimeve të Sigurisë në Maqedoni. “Piper”-i ishte nisur në orën 14 nga Trevizo dhe rreth orës 17:40 të së martës u zhduk nga radarët e Aeroportit “Aleksandri i Madh” i Shkupit, ku do të furnizohej me karburant. Ishin disa banorë të fshatrave pranë Velesit, ata që dhanë alarmin për një zhurmë të fuqishme të shoqëruar nga një shpërthim, me flakë dhe tym të dendur. Disa prej tyre madje kanë konfirmuar se kishin parë flakë nga avioni përpara përplasjes. Megjithatë, kjo mbetet për t’u hetuar.

Në vendngjarje ka qenë tepër e vështirë të ndërhyhej menjëherë, për shkak të kushteve të këqija të motit që kishin vështirësuar shikueshmërinë. Megjithatë, në vendngjarje shkuan ekipe të kërkim-shpëtimit, si dhe zjarrfikëse e autoambulanca të shumta, të cilat gjetën pjesë të avionit “Piper”.

Hetimet për shkaqet e aksidentit kanë nisur që prej mesnatës nga Prokuroria e Përgjithshme maqedonase, por nga sa raportohet, këto tipe avionësh privatë nuk kanë kuti të zeza.

Top Channel