Deklarata e ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere në gazetën “Die Welt” se Berlini do të fillojë të kthejë në Greqi refugjatët që ndodhen në Gjermani, siç parashikon Marrëveshja e Dublinit 2, ka ngjallur reagimin e Athinës zyrtare.

“Nëse thëniet e ministrit gjerman janë të vërteta, ato nuk i përgjigjen realiteteve aktuale dhe nevojave të Europës”, është përgjigjja e ministrit grek për Emigracionin, Jannis Mouzalas.

Ai kritikon paralelisht vendet e BE-së se kanë marrë gjithësej vetëm 3.000 nga 33.000 azilkërkues në Greqi, duke mos respektuar marrëveshjen e nënshkruar për ndarje proporcionale të refugjateve në vendet e Unionit.

Marreveshja e Dublinit 2 parashikon rikthimin e gjithë refugjatëve që kanë hyrë në vendet e BE tek vendi i parë ku kanë kërkuar azil. Por, sipas vendimeve të Gjykatës Europiane, kthimi i refugjatëve në Greqi nuk lejohet më për shkak të kushteve të këqija të pritjes në këtë vend në vitet e fundit.

Ndërkohë, në kampin e Morias në Lesbos, që mban rreth 700 refugjatë më shumë se kapaciteti, janë verifikuar konfrontime të ashpra mbrëmjen e së dielës mes adoleshentëve nga Afganistani dhe Iraku dhe për pasojë 5 persona janë plagosur, ndërsa shumë fëmijë të pashoqëruar janë larguar për disa orë nga kampi duke alarmuar autoritetet.

Top Channel