Nju Jork, “gllabëruesi” i krahëve të pulës ruan titullin kampion

05/09/2016 00:00

Këtë punë, më mirë lërua në dorë profesionistëve. Jo të gjithë e përballojnë kampionatin amerikan të krahëve të pjekura të pulave dhe eventi i përvitshëm, edicioni i 15 i të cilit u zhvillua në Buffalo të Nju Jorkut, e dëshmoi këtë më së miri.

Joey Chestnut, një konkurrues i rregullt i mësuar tashmë me të tilla gara, ishte i padiskutueshëm në gllabërimin e ushqimit. Brenda 12 minutash, ai konsumoi 188 krahë, duke u distancuar nga garuesi që u rendit i dyti, me 11 krahë pule më shumë në bark.

Plot 11 ishin pjesëmarrësit në sfidën e sivjetshme të ushqimit. Ndërsa 70 mijë vetë ishin mbledhur në fushën ku u mbajt gara, për t’i parë sesi luftonin për fitore. Anëtarët e jurisë peshuan në fund pirgjet e kockave, për të parë se kush kishte konsumuar më shumë mish pule.

Chestnut rezultoi të kishte ngrënë 2.66 kilogramë. Krahët, e njohura ndryshe si “Buffalo Wings”, janë një pjatë tradicionale amerikane, ku mishi zakonisht shoqërohet me një salcë të kuqe pikante, ndërsa i sheh rëndom të konsumohen nga publiku gjatë ndeshjeve të futbollit apo shfaqjeve të tjera sportive me selino dhe djath gorgonzola.

Tani është koha që pjesëmarrësit të qetësohen me ca ndihmues të tretjes.

Top Channel