Filipine, shpërthim në tregun e mbipopulluar. 10 viktima e 60 të plagosur

02/09/2016 00:00

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një treg të tejmbushur me njerëz, të ndodhur në sheshin “Roxas” të qytetit Davao të Filipineve.

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa 60 të tjerë raportohen të jenë plagosur nga shpërthimi, sipas asaj që bëjnë të ditur mediet lokale ndërsa citojnë zëdhënësin e Presidencës, Ernesto Abella.

Sipas filialit të CNN në Filipine, shpërthimi mbetet ende i “paspecifikuar”, ndërkohë që presidenti Rodrigo Duterte raportohet të ndodhet pikërisht në atë rajon.

Policia dyshon që ngjarja të ketë ndodhur si pasojë e një pajisjeje të improvizuar shpërthyese, por inspektorja e policisë Catherine dela Rey tha në një intervistë për një radio lokale se ende nuk është konfirmuar.

Për momentin nuk ka asnjë njoftim zyrtar se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Davao është vendlindja e presidentit Rodrigo Duterte. Ai ndodhej në qytet teksa ndodhi shpërthimi, por gjendja e tij raportohet të jetë e sigurtë, siç konfirmon i biri Paolo Duterte, i cili është edhe zv.kryebashkiak i qytetit, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Top Channel