Kallëzimi i KLD-së, prokuroria pushon hetimet ndaj ministrit Tahiri

02/09/2016 00:00

Prokuroria e Përgjithshme pushoi hetimet ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i kallëzuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësië për dyshimet se kishte kanosur gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Arjan Aliaj.

Vendimi për të mos filluar hetimet u mor pak javë pas marrjes së dëshmisë së gjyqtarit Aliaj, i cili i tha grupit të hetimit se nuk ishte ndierë i kanosur nga deklaratat e ministrit, pasi sipas tij ai ka qenë në ushtrim të detyrës së tij.

Në organin qendror të akuzës është pyetur më herët edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili pas akuzave ndaj gjyqtarit Aliaj tha në dalje se do të vijojë të denoncojë gjyqtarët që japin vendime të paprecedenta.

Akuzat u rënduan së tepërmi pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Aliaj, i cili gjatë hetimeve për pajisjen “IMSI Catcher” dha masën e pezullimit nga detyra të drejtorit të përgjithshëm Haki Çako edhe “arrest shtëpiak” për dy oficerë të Forcave Operacionale.

Këto vendime u rrëzuan nga Gjykata e Apelit si të pambështetura në ligj dhe në prova.

Top Channel