Aktivitete për shenjtërimin e Nënë Terezës

02/09/2016 00:00

Shenjtërimi i Nënë Terezës do të kremtohet me një sërë aktivitetesh në kryeqytet përgjatë fundjaves, aktivitete të organizuara nga Bashkia e Tiranës.

“Bashkia e Tiranës ka një program dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ditën e dielë aktiviteti nis në mëngjes rreth orës 09:30, ku do të bëhet përurimi i 3 pllakave në pjesët anësore të sheshit dhe në korpusin qendror”, thotë Besim Petrela, Drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Bashkinë e Tiranës.

Aktivitetet do të shoqërohen edhe me koncerte nga instrumentistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe do të kulmojnë me transmetimin e meshës së shenjtë drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë e Vatikanit.

“Do të ketë koncert në Universitetin e Arteve me muzikë nga instrumentistë të TKOB. Me tej, në 10:30 do të shfaqet në ekran të madh ne sheshin Nënë Tereza mesha e shenjtë e Vatikanit”, sqaron drejtori i Kulturës pranë Bashkisë së Tiranës.

Aktivitetet do të vijojnë më 6 shtator me përurimin medaljoni i Nënë Terezës në zyrën e kryetarit të Bashkisë dhe në datën 7 do të shfaqet një film mbi jetën e humanistes shqiptare.

Top Channel