Turqia konfirmon vdekjen e presidentin uzbek

02/08/2016 00:00

Turqia u dha fund hamendësimeve mbi shëndetin e presidentit uzbek Islam Karimov me deklaratën se ai ka ndërruar jetë, ndërsa nga Qeveria e Uzbekistanit nuk ka ende një konfirmim zyrtar.

Njoftimi i fundit i ekzekutivit ishte ai se lideri është i sëmurë rëndë, çka nënkupton hapjen e rrugës së ndërrimit të pushtetit në shtetin më të populluar të Azisë Qendrore.

Karimov e ka mbajtur postin e presidentit që prej vitit 1989, kohë përgjatë së cilës e ka drejtuar vendin me një stil autoritar. Tre burime diplomatike thanë dhe ata për agjencinë e lajmeve Reuters se 78-vjeçari ka vdekur prej një hemoragjie cerebrale.

Presidenti i Kazakistanit fqinj po planifikon të udhëtojë drejt Uzbekistanit të shtunën. Karimov nuk ka një pasardhës të qartë dhe analistët mendojnë se kalimi i pushtetit me shumë gjasa do të vendoset nga një rreth i ngushtë zyrtarësh të lartë dhe pjesëtarësh të familjes.

Nëse kompromisi nuk gjendet, atëhere përplasjet për këtë post mund ta zhysin në trazira vendin 32 milionë banorësh, që së fundi është kthyer dhe në shënjestër të militantëve islamikë.

Top Channel