Të pastrehë dhe të papunë, përndjekja që vazhdon

01/09/2016 00:00

Rasti i jetesës në mjerim të një grupi të përndjekurish në Golem dhe denoncuar nga Top Channel ka vënë në lëvizje strukturat qeveritare. Por Top Channel ka zbuluar se raste të tilla ka edhe në Tiranë.

Pas transmetimit në Top Channel të pamjeve që tregonin jetesën në kushte mjerimi të një grupi të përndjekurish në Golem, menjëherë një grup pune i ngritur nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe  kreu i Institutit  të ish të Përndjekurve Politikë  ka vizituar 17 familjet që jetonin në ish-kabinat e pushimit në Golem.

“Nuk mund ta lëmë këtë vetëm me Bashkinë e Kavajës, pavarësisht se ajo duhet të shikojë për banesa sociale apo hapësira të tjera strehimi. Situata këtu është e papranueshme dhe duhet ta shohim edhe nga kendvështrimi i pushtetit qendror”, thotë Bilal Kola, nga Instituti i ish të Përndjekurve.

Golemi nuk është rasti i vetëm. Ndoshta pak më ndryshe, të tjerë janë shpërndarë nëpër konvikte dhe jetojnë prej vitesh me frikën se do t’i shpërngulin.

“Rri gjithmonë me frikën që mua do të më nxjerrin në rrugë dhe kjo është shtëpia ime e vetme derisa të vdes. Mbledh 5 lekë vendos xhamat, perdet…”, thotë Ajtanga Lubonja, ish e përndjekur.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar se do t’i boshatisë të gjitha hapësirat e nxënësve dhe studentëve të zëna nga familjarët duke i ftuar të aplikojnë për banesa sociale apo kredi të buta.

“Duke filluar nga viti tjetër Bashkia e Tiranës do të vendosë 1 milionë dollarë për dhënien e 2 mijë kredive të buta, të cilat do të krijojë që bankat të gjenerojnë mbi 60 milionë dollarë në tregun imobilar dhe 2 mijë familje të reja të marrin apartamentin e tyre në Tiranë”, thotë kryebashkiaku Veliaj.

Ai ka dhënë ultimatum për zbrasjen e konvikteve. Ky ultimatum i gjen banorët të papërgatitur dhe të pashpresë. Veç mungesës së banesës, ata vuajnë edhe nga pamundësia ekonomike.

“Unë banesën nuk e përballoj dot. Nuk e blej dot, edhe më këste ta japë. Unë jam e persekutuar. Kam marr vetëm një këst si e persektuar dhe sot më erdhi pensioni, 150 mijë lek. Të blej ilaçe? Jam me katër insulina në ditë”, thotë Ajtanga Lubonja.

Top Channel