ARMO rindez rafineritë; një kompani e re, marrëveshje me kreditorët

01/09/2016 00:00

Rafineria e ARMO-s, e bllokuar prej disa muajsh nga bankat si kreditore për shkak të borxheve të mëdha, nga një tetori do të rinisë punën.

Shoqeria “Jonian “Refinen and Trading Company” mësohet se ka arritur marrëveshjen me bankat si kreditorë të parë dhe  puntorët e rafinerisë për të marrë në shfrytëzim kompaninë e vetme që përpunon naftën bruto në vend.

Lajmin e ka bërë publik “Bankers Petroleum”. Kompania kanadeze që shfrytëzon vendburimin e Patos Marinzës njoftoi se deri në tetor të 2017 do të shesë 65 për qind të prodhimit të naftës tek rafineria vendase, sipas një marrëveshje me IRTC.

Rivënia në funksionim e ARMO-s rikthen në punë gati 1.200 punonjës të kësaj kompanie, të cilët janë prej muajsh të papunë dhe nuk kanë marrë rrogat prej gati një viti. Prej disa vitesh ARMO është në kolaps financiar.

Burime konfidenciale i thanë Top Channel se me këtë marrëveshje, ku rafineria do të përpunojë 65 për qind të prodhimit vendas të naftës, do të zgjidhë përfundimisht problemin punëtorëve dhe familjeve në një nga zonat ku ky biznes shihet si e vetmja e ardhur.

Top Channel