Lejet e ndërtimit online, Gjermeni: Përgjigjia brenda 60 ditësh

31/08/2016 00:00

Nga data 1 shtator do të ketë vetëm një mënyrë aplikimi për lejet e ndërtimit. Qytetarët apo investitorët do të mund ta bëjnë kërkesën e tyre në mënyrë elektronike, përmes portalit e-Albania, ku aplikuesi plotëson hap pas hapi të dhënat  dhe kontrollon ecurinë e procesit.

“Qytetari informohet jo vetëm në fillim që aplikimi i tij është realizuar me sukses, por edhe në çdo hap, deri në finalizimin e plotë të procesit”, deklaron ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

Procedurat e reja duket se do të vënë më në fund para përgjegjësisë institucionet e shtetit të respektojnë ligjet e shtetit.

“Afati maksimal që i duhet qytetarit apo investitorit që të marrë një përgjigje për lejen e ndërtimit është 60 ditë. Në rast se nuk ka marrë përgjigje bëhet miratimi në heshtje. Nëse kjo leje është në kundërshtim me rregullat dhe punonjësit e bashkisë nuk kanë reaguar, atëherë ata do të penalizohen”, nënvizon Gjermeni.

Ministrja Gjermeni thotë se kusht për aplikimin është që projekti të mbajë firmën elektronike të Agjencisë Kombëtare dhe Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Aplikimit në mënyrë elektronike do t’i nënshtrohet edhe kategoria e investimeve strategjike, që miratohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Por zonja Gjermeni thotë se janë edhe disa kategori punimesh që përjashtohen nga aplikimi për leje, si ndërhyrjet e jashtme apo ato për riparimin e ndërtesave, me qëllim ruajtjen e karakteristikave origjinale të tyre.

Një referencë kjo e ilustruar së fundmi edhe nga rasti i shumëpërfolur nga opozita, ai i pallatit të deputetit Sadri Abazi.

Top Channel