Zgjedhjet në Dibër, Gjiknuri e Rama takojnë banorët e Brezhdanit

30/08/2016 00:00

Muharem Rama, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Dibrës, ka vlerësuar mbështetjen e aleatëve të PS në qeveri gjatë fushatës së tij elektorale për garën e shtatorit.

Gjatë takimeve me banorë të njësive administrative të Selishtës dhe Brezhdanit në njësinë Tomin, kërkoi përveç ndihmës së partive politike e deputetëve, ai ka nevojë për votën e qytetarëve.

“Jemi një koalicion i madh. Kemi mbështetjen e LSI-së dhe PDIU-së, por kemi mbështetjen në radhë të parë të popullit. Populli do të na besojë me votë në datën 11 dhe ne do t’ja shpërblejmë me punën tonë, duke vënë në jetë projektet tona”, tha Rama.

Koordinatori i PS-së për Dibrën Damian Gjiknuri, që shoqëron Muharem Ramën në fushatë, u ndal sërish tek akuzat ndaj demokratëve.

“Erdhi këtu Lulzim Basha para disa ditësh. Gënjeshtar klasik! Erdhi dhe tha se për lopët ju ka lënë qeveria në harresë. Tha kështu, megjithëse më thanë se ai që bën vaksinat është i partisë së tij. Unë po ju them sot të gjithë ata që janë dëmtuar do të kompesohen 100 përqind”, u shpreh Gjiknuri.

Top Channel