Sondazhi, gjysma e gjermanëve kundër Merkelit si kancelare pas 2017-s

29/08/2016 00:00

Gjysma e gjermanëve nuk duan që Angela Merkel të shërbejë edhe për një tjetër mandat si kancelare. Ky është përfundimi i një sondazhi të Institutit për Demografi, “Emnid”, të porositur nga gazeta “Bild am Sonntag”.

Sipas sondazhit, 50 për qind e të intervistuarve janë kundër një tjetër periudhe në postin aktual për Angela Merkelin, ndërsa 42 për qind në favor.

Ndërkohë, 70 për qind e mbështetësve të partisë së Merkelit, “CDU”, duan që udhëheqësja e partisë së tyre të qëndrojë në detyrë përtej zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2017. Rreth 22 për qind janë kundër.

Merkel nuk e ka deklaruar ende, nëse do të kërkojë apo jo një tjetër mandat si kancelare. Ajo e mban këtë post që nga viti 2005 dhe, nëse do të fitonte sërish për Kancelare të shtetit, ajo do të thyente rekordin e mbajtur nga Helmut Kohl, i cili ka qenë kancelar për 16 vite, nga 1982 deri në 1998.

Top Channel