Testimet koreano-veriore, Kina kërkon maturi

26/08/2016 00:00

Aleatja e Koresë së Veriut, Kina, u kërkoi të gjitha palëve që të frenohen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë tensionet në rajon pas lëshimit të një rakete ballistike nga shteti komunist, e cila fluturoi për rreth 500 km drejt Japonisë.

Dorashka e fundit e hedhur prej Penianit ishte një shfaqje e aftësisë së përmirësuar teknologjike të vendit të izoluar ndërkombëtarisht, i cili ka ndërmarrë një sërë testesh bërthamore këtë vit e ka hedhur raketa duke sfiduar kështu hapur sanksionet e OKB-së.

“Situata në Gadishull është e komplikuar dhe delikate, ndaj mendojmë se të gjitha palët e përfshira duhet të shmangin lëvizjet që mund të shkaktojnë tension. Të gjithë kanë përgjegjësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në këtë zonë”, tha Lu Kang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
 
Lëshimi erdhi në kohën kur shefat e diplomacive kineze, japoneze e koreano-jugore ishin mbledhur në Tokio për t’i kërkuar ndër të tjera Penianit që t’u japë fund provokimeve e të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Raketa u nis nga një nëndetëse diku pranë qytetit bregdetar të Sinposë dhe mbërriti në zonën e mbrojtjes ajrore japoneze, ADIZ, të ngritur posaçërisht për t’i ardhur në ndihmë mbrojtjes nga ajri.

Ekspertët mendojnë se distanca e fluturimit tregon qartë që përpjekjet e Veriut komunist për të zhvilluar një sistem efikas të lëshimit të raketave nga nëndetëset kanë qenë të suksesshme.

Top Channel