Nicolas Sarkozy publikon në libër platformën për zgjedhjet e vitit 2017

26/08/2016 00:00

Përpjekjen e tij për të rimarrë edhe një herë në dorë çelësat e Elizesë, Nicolas Sarkozy e nisi me një libër. “Gjithçka për Francën” shpalos në një farë mënyre platformën e ish-presidentit për zgjedhjet e vitit 2017.

Tema e terrorizmit duket do të jetë qendrore në fushatën e tij, ndërsa përmes librit që porsa ka mbushur raftet e librarive, Sarkozy miklon dhe votuesit e Frontit Nacional me premtimin të kufizojë të drejtën e kombësisë franceze për fëmijët e lindur nga emigrantë. Simpatizantët nuk i mungojnë.

Një banore e Parisit shprehet: “Unë them se ai është më i miri dhe shpresoj shumë që t’i fitojë zgjedhjet presidenciale”.

Momenti i shpalljes së kandidaturës duket i menduar me shumë mjeshtëri nga ekipi mbështetës i Sarkozisë. Fushata e tij do të përqendrohet në ide të forta të cilat ngjasojnë me ato të Frontit Nacional: eleminimi i bashkimit familjar për të huajt, arrest parandalues për të dyshuarit si terroristë, vështirësim i marrjes së nënshtetësisë franceze. Ekonomisë nuk i është kushtuar një hapësirë shumë e madhe. Edhe pse ka një rënie të papunësisë në vend në nivelin 9,6%, ajo nuk e avantazhon shumë presidentin aktual Hollande.

Sipas një studimi të “EulerHermes”, reforma e debatuar e tregut të punës i ka dhënë ekonomisë franceze një rritje ekonomike vetëm prej 0,5%. Goditja çliruese, thonë mediat e huaja, do të kishte një pamje tjetër. Sarkozia vetë i mëshon idesë së sigurisë e përpos të qenit tema e tij e preferuar, e cila i vjen për shtat edhe prej situatës së ankthit të krijuar në vend pas valës së sulmeve vrastare terroriste.

Top Channel