Tahiri: Policia nuk është e vetme, mbi të baltë dhe akuza të padrejta

24/08/2016 00:00

Në ditën e dytë të panairit “Ditë e hapur me Policinë” në Sarandë ka marrë pjesë edhe Ministri i Brendshëm, Saimi Tahiri, i cili ka vlerësuar se kjo është fytyra e vërtetë e Policisë së Shtetit, përtej baltës dhe akuzave të përditshme që ka marrë.

“Ne i kaluam dy ditë të mrekullueshme në Sarandë, duke u treguar qytetarëve dhe turistëve të Sarandës, Policinë e Shtetit dhe fytyrën e vërtetë të Policisë së Shtetit përtej baltës dhe akuzave të përditshme që ka marrë policia e Shtetit, padrejtësisht. Kjo është ajo që shohin qytetarët, shërbimin që jep Policia e Shtetit dhe mundësitë që ka policia për t’u bërë bashkë me qytetarët për të ndërtuar qytetet më të sigurta”, u shpreh Tahiri.

Më tej ministri Tahiri ka vënë në dukje se në tre vite qeverisje nga e majta Policia e Shtetit është reformuar në mënyrë rrënjësore.

“Në këto 3 vite kemi reformuar policinë në mënyrë rrënjësore, nga pikëpamja e shërbimit, nga pikëpamja e mundësive infrastrukturore, nga pikëpamja e buxhetit, duke u dhënë punonjësve të policisë mundësinë që të punojnë në kushte më të mira, që të jenë larg korrupsionit dhe duke u dhënë mundësinë qytetarëve të kuptojnë se bashkarisht mund të ndërtojmë më shumë siguri. Ne jemi shumë të bindur që jemi në rrugën e duhur me ndryshimet që kemi marrë përsipër, ashtu siç jemi shumë të bindur se sfidat që kemi përpara janë shumë më të mëdha”, vuri në dukje ministri i Brendshëm, i cili theksoi se mbi të gjitha është shumë e rëndësishme të kuptojmë që Policia e Shtetit nuk është e vetme.

“Duhet të jemi të gjithë bashkë, institucionet në tërësi, punonjësit e policisë dhe qytetarët, për të bërë atë që presim, atë që kemi premtuar, atë për të cilën jemi angazhuar dhe atë për të cilën kemi nevojë, shoqëria në tërësi, qytetarët dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”. u shpreh Tahiri.

Top Channel