Protezat në Spitalin e Traumës, investimi 1mln dollar

24/08/2016 00:00

Pacientët tashmë nuk do të duhet të paguajnë më për proteza ortopedike pasi ato gjenden nga sot në Spitalin e Traumës në Tiranë, një investim i qeverisë me vlerë 1 milion dollar, shërbim i cili do të shtrihet edhe në QSUT dhe në spitalin rajonal të Durrësit.

Kryeministri Edi Rama u shoqërua nga ministri Beqaj në Spitalin Universitar të Traumës për të parë nga afër shërbimin e ri për pacientët që kanë nevojë për pajisje mjekësore të implantueshme.

Gjatë takimit me drejtues dhe mjekë të Spitalit të Traumës, kreu i qeverisë u njoh me projektet e reja për këtë spital, por edhe ndryshimet përgjatë këtyre 3 viteve, ku janë investuar 300 mln lekë.

“Kjo është pajisja e rezonancës magnetike, e vënë në punë në spital para rreth 14 muajsh. Spitali, edhe pse ka qenë Spital Traume nuk ka patur rezonancë magnetike. Nuk ka patur ekzaminime. Shpesh herë të sëmurët detyroheshin të lëviznin në spitale të tjera ose në klinika private. Krijonte dhe probleme në komunikimin me familjarët. Sot, plotësojmë nevojat  që kemi këtu për trauma”, shprehet ministri Beqaj.

Spitali i Traumës është pajisur edhe me një skaner të ri dhe monitorë modern në sallën e reanimacionit, që mundësojnë monitorimin e pacientëve në çdo moment.

Top Channel