Bankat të pasigurta, policia: Nevojitet ligji për masat shtesë

19/08/2016 00:00

Rasti i fundit i vjedhjes së një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, ku autorët arritën tek kasaforta duke çarë murin e një dyqani ngjitur, tregoi edhe njëherë nivelin e ulët të sigurisë në këto institucione.

Për të shmangur ngjarje të tilla, policia i ka kërkuar bankave të forcojnë masat, por nga ana tjetër për t’i detyruar ato, uniformat blu shohin si domosdoshmëri miratimin e projektligjit për masat shtesë të sigurisë publike.

“Sot, këto subjekte nuk detyrohen me ligj, por edhe nuk mbajnë përgjegjësi me ligj. Të marrim masa të qarta sigurie dhe të kemi një rregull të qartë, që ky proces do të përcaktohet në këtë formë sepse përcaktohet nga akte ligjore dhe nënligjore. Kjo është pengesa kryesore. Nëpërmjet këtij ligji ne i japim detyrime subjektit, që të marrë masa shtesë që në momentin fillestar të ndërtimit të objektit”, shprehet Dimitraq Ziu, zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës.

Policia ka propozuar edhe forcimin e masave për mjetet e transportit të vlerave monetare, që disa herë kanë rënë pre e grabitjeve.

“Nuk mund të jetë një mjet që transporton miliona euro i barabartë me një mjet që transporton një vlerë monetare shumë më të ulët. Të vendoset GPS, që është lehtësisht i arritshëm, të vendoset për të pasur një kod në kasafortë, siç e kanë edhe vendet më të përparuara”, thotë Ziu.

Përveç supërbrabitjes së Rinasit, gjatë 2 muajve të fundit një bankë u vodh në Tiranë dhe një tjetër u grabit në qytetin e Vlorës.

Top Channel