Zjarr i rrezikshëm në Kaliforni, evakuohen mijëra persona

17/08/2016 00:00

Një zjarr masiv i shtyrë nga erërat e forta dhe temperatura mbi 37 gradë Celsius po dëmton rëndë komunitetet rurale jashtë Los Anxhelesit, duke krijuar tornado zjarri e duke bërë të detyrueshëm evakuimin e më shumë se 80 000 njerëzve.

Zjarri shpërtheu rreth 100 km në lindje të Los Anxhelesit dhe me shpejtësi shkrumboi 9 000 hektarë tokë. Mediat amerikane raportojnë se ndërsa flakët i afroheshin rrezikshëm zonave të banuara, skena kaosi u panë mes njerëzve që mundoheshin t’ia mbathnin. Guvernatori i Kalifornisë shpalli gjendjen e emergjencës në kontenë e San Bernardinos, ndërsa Kryqi i Kuq ka ngritur qendra pritjeje për të evakuuarit.

Autoritetet e Kalifornisë thanë se rreziku ndaj njerëzve dhe infrastrukturës është i qartë, prandaj është urdhëruar evakuimi i 34 500 shtëpive dhe 82 640 njerëzve. Zjarri është ende jashtë kontrolli, pavarësisht përpjekjeve të 700 zjarrfikësave dhe dhjetra mjeteve tokësore e ajrore për ta ndalur. Ky është zjarri më i fundit i sezonit të zjarreve në Kaliforni, që këtë vit janë tejet shkatërrimtare dhe të paparashikueshme.

Zjarret e fundit në Kaliforni kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe i kanë kushtuar jetën 8 njerëzve, një ogur i errët pasi sezoni tradicional i zjarreve nis në vjeshtë. Por vitet e fundit, thatësirat e tejzgjatura dhe temperaturat e larta kanë zgjatur sezonin e zjarreve në perëndim të SHBA-së. Zjarret tashmë nisin më herët dhe zgjasin më shumë, ndërsa sezoni i tyre shtrihet nga qershori në tetor.

Top Channel