Siri, Rusia sulmon nga bazat e Iranit

17/08/2016 00:00

Avionët rusë kryen misione luftarake mbi Siri nga një bazë iraniane, hera e parë që një fuqi e madhe e bën këtë që prej revolucionit islamik të vitit 1979. Bombardierët rusë u ngritën në fluturim nga baza ajrore Hamedan në perëndim të Iranit dhe goditën objektiva të Shtetit Islamik dhe fronit Al-Nusra në provincat e Alepos, Deir Ezor dhe Idlib.

Sipas zyrtarëve rusë, sulmet eleminuan depo armësh dhe kampe stërvitore të militantëve. Raportohet se dhjetëra militantë gjithashtu janë vrarë, por nuk ka shifra të sakta për këtë. Gjithsesi, këtë herë bujë nuk bënë sulmet, por fakti që avionët rusë u nisën nga Irani.

Në një komunikatë për shtyp, autoritetet iraniane thanë se Teherani dhe Moska kanë një bashkëpunim strategjik në luftën kundër terrorizmit dhe ndajnë bazat dhe aftësitë e tyre për këtë qëllim.

Kjo ishte hera e parë që Rusia përdor një vend të tretë për të sulmuar brenda Sirisë që kur nisi fushatën ajrore në mbështetje të presidentit sirian Bashar al-Asad vitin e shkuar. Irani gjithashtu është aleat i Asadit dhe i ka garantuar atij mbështetje të madhe ushtarake dhe financiare që kur nisën revoltat antiqeveritare në vitin 2011.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se përdorimi i bazave iraniane nga Rusia ishte diçka e gabuar, por jo e papritur. Gjithsesi, zyrtarë amerikanë thanë se raportet më të ngushta mes Iranit dhe Rusisë nuk përjashtojnë mundësinë e një pakti të Uashingtonit me Moskën për të bashkëpunuar ushtarakisht kundër Shtetit Islamik.

Top Channel