Babai i emigrantit të vdekur në Greqi: E vranë dhe donin ta varrosnin

16/08/2016 00:00

Babai i emigrantit Pëllumb Marnikollaj, të vdekur në rrethana misterioze në ambientet e një komisariati policie në Athinë të Greqisë, ka treguar se ekzistojnë disa rrethana që e bëjnë atë të besojë se ngjarja nuk është aksidentale.

Nikoll Marnikollaj tregon përpjekjet për 8 ditë rresht për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me djalin e tyre. Madje sipas Nikollës, autoritetet greke tentuan deri në varrimin e 29-vjeçarit, pa lajmëruar asnjë nga familjarët apo shokët e tij, të cilët kishin adresa të sakta në Athinë.

“Kanë shkuar tek spitali dhe nuk është gjendur në atë spital. Pastaj, pas edhe ndërhyrjeve, replikash dhe zënkash është mësuar se është nis për tek varrezat ku ka patur për t’u varrosur, ku kanë menduar ata. Atje kanë gjetur trupin duke e përgatitur për ta varrosur dhe pastaj avokati ka ndërhyrë dhe është ndaluar”, thotë Nikoll Marnikollaj.

Nisur nga këto rrethana babi i Pëllumbit shpreh bindjen se djali i tij është keqtrajtuar deri në vdekje nga policia greke.

“Kam bindje të plotë që ai nuk është aksidentuar, apo ka qenë aksidentale vdekja. Ai është dhunuar dhe masakruar nga policia dhe e gjitha ka ndodhur në zyrat e shtetit, nuk ka ndodhur në rrugë dhe as në parcela”, shton ai.

Nikoll Marnikollaj u ka bëre apel autoriteteve greke dhe atyre shqiptare që të zbardhin sa më shpejt të vërtetën e plotë mbi vdekjen e djalit të tij.

Top Channel