PD: Tahiri mbron autorët e sulmit të armatosur në Shkodër

15/08/2016 00:00

Për Partinë Demokratike, ngjarja e rëndë mbrëmë në Shkodër, ku u verifikua një sulm me armë zjarri në zemër të qytetit, “ka përmasa edhe më tronditëse që po mbahen të fshehura”.

“Saimir Tahiri është përfshirë drejpërdrejt që në momentin e parë në ofrimin e lehtësive për autorët, më kryesori prej të cilëve Behar Bajri, një prej kokave të krimit në Shkodër, me dhjetëra precedente penalë”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Edhe pse vlerëson se, falë punës energjike dhe profesionale të prokurorisë atentatorët janë ndaluar disa orë pas ngjarjes, partia më e madhe e opozitës akuzon ministrin Tahiri se, “vazhdon edhe sot t’i shërbejë Behar Bajrit, duke bërë të pamundurën për të lehtësuar rrethanat për autorët dhe duke ushtruar presion ndaj Prokurorisë”.

“Ky implikim i Tahirit është vërtetimi i radhës i lidhjes së tij kokë e këmbë me krimin e me kriminelët më famëkeqë në vend. Këto akte kriminale në mbështetje të krimit dhe bandave janë një dëshmi tjetër se Edi Rama ka braktisur me kohë qytetarët”, vijon deklarata.

Rendi dhe siguria publike nuk janë prioriteti i Edi Ramës, vijon PD, sipas të cilës “për të prioritet është pakti me kriminelët dhe ndarja e pushtetit me ta”.

“Shqiptarët nuk mund ta pranojnë kurrë sundimin e krimit në vend të ligjit. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, përfundon reagimi.

Top Channel