“Brexit”, Britania pritet të qëndrojë në BE deri në 2019-n?

14/08/2016 00:00

Sipas prestigjiozes “The Sunday Times” të Londrës, Britania e Madhe mund të vazhdojë të jetë anëtare e Bashkimit Europian deri në fund të vitit 2019, një vit më vonë sesa parashikohej të ndodhte.

Londra nuk mundet dot të evokojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, që mundëson fillimin e bisedimeve zyrtare për largimin nga unioni të një shteti anëtar, pasi duket se nuk është e përgatitur ende, edhe pse kryeministrja e re Theresa May ka deklaruar se synon të fillojë negoacitat në janar të vitit të ardhshëm.

Por, sipas burimeve qeveritare, mësohet se ekipi negociator britanik nuk është ende në gjendje t’i fillojë këto negociata. Një arsye madhore për një shtyrje të tillë janë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në dy vendet më të mëdha dhe më të rëndësishme të Bashkimit Europian, Gjermani dhe Francë, vitin e ardhshëm.

“Ju nuk mund të negocioni me dikë, kur nuk e dini se kush mund të jetë negociatori”, shkruan “The Sunday Times” e Londrës.

Vonesa prej një viti do të egërsojë euroskeptikët britanikë, që fituan referendumin e qershorit. Edhe pse janë krijuar departamente të reja për “Brexit”-in, burime nga qeveria britanike bëjnë të ditur se situata në këto departamente është kaotike dhe nuk janë plotësuar me stafet e nevojshme për të përgatitur negociatat dhe procesin e daljes së Britanisë nga BE-ja.

“Nga 1.000 ekspertë të politikave tregtare, vetëm 100 janë rekrutuar deri më tani”, shkruan gazeta.

Edhe pse ministri i “Brexit”-it, Liam Fox mund të zhvillojë bisedime jozytare me partnerë potencialë tregtarë, sërish në aspektin ligjor atij nuk i lejohet të bisesojë zyrtarisht pa dalë më parë nga Bashkimi Europian.

Top Channel