Siri, OKB nis hetimet për sulmin me “gaz klorin” në Aleppo

11/08/2016 00:00

Kombet e Bashkuara kanë nisur të hetojnë provat e përdorimit të një gazi toksit në zonat e kontrolluara prej rebelëve në qytetin sirian të Aleppos. Rebelët thonë se sulmi, që raportohet të ketë lënë 4 persona të vdekur dhe shumë të helmuar, është ndërmarrë nga forcat besnike të qeverisë duke specifikuar madje se kanë përdorur gaz klorin.

I dërguari special i OKB-së në Siri tha se përdorimi i gazit klorin, nëse konfirmohet, do të përbënte kështu një “krim lufte”. Pamjet e siguruara nga BBC shfaqin persona me vështirësi të theksuara frymëmarrjeje, të cilët u janë drejtuar spitaleve për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Burra, gra dhe për më tepër edhe fëmijë, shihen teksa mbajnë maska oksigjeni të dhëna nga ndihma e stafit mjekësor. Gazi që mendohet të jetë klorin është hedhur përmes fuçive bomba, kanë bërë të ditur punonjësit vullnetarë të Mbrojtjes Civile Siriane, një organizatë në gatishmëri të emergjencave, që vepron nëpër zonat e kontrolluara nga opozita.

Staffan de Mistura, i dërguari special i OKB-së, konfirmoi faktin që ekspertë të trupës ndërkombëtare ishin duke hetuar raportimet për përdorimin e këtij gazi, që u hodh vetëm pak ditëmë parë në Aleppo.

“Ka prova të mjaftueshme që të vërtetohet se kjo gjë ka ndodhur, – tha ai për reporterët. – E nëse vërtetohet realisht, kjo do të përbënte një krim lufte dhe si i tillë do të kërkonte përgjegjësinë e të gjithëve për ta adresuar dhe menjëherë madje”.

Top Channel