Zbardhet grabitja e bankës në Vlorë, njëri prej autorëve në pranga

11/08/2016 00:00

Shtetasi Gaqo Gjini është shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës i dyshuar si njëri prej autorëve që një muaj më parë kreu grabitjen e 6 milionë lekëve në një bankë të këtij qyteti.

Megjithëse i maskuar dhe me armë, policia deklaron se ai është bashkëpunëtori i të arrestuarit për këtë dosje, shtetasit Konstandin Shakaj, 37 vjeç nga fshati Kote.

Konstandin Shakaj u prangos nga blutë e Vlorës pas një mase sigurie të dhënë në mungesë nga Gjykata e Vlorës. Policia deklaron se 37-vjeçari shfaqet në kamerat e sigurisë një ditë para se të ndodhte grabitja, pra në datën 10 korrik.

Ai dallohet tek vjedh një automjet tip Mercedes Benz me ngjyrë të bardhë. Pamjet nga kamera të tjera sigurie, të sekuestruara për të zbardhur këtë ngjarje, tregojnë se Shakaj pasi ka qarkulluar me një automjet fuoristradë ka pikasur mjetin me çelësa brenda, të lënë nga një qytetar.

37-vjeçari është lënë pranë vendngjarjes nga bashkëpunëtori tjetër Gjini, i cili ishte si shofer në mjetin fuoristradë.

Kamerat tregojnë se të nesërmen, në datën 11 korrik, pra kur u krye grabitja, automjeti tip Benz me targat “435AJl06” ka dalë nga banesa private e shtetasit të shpallur në kërkim, Gaqo Gjini. Grabitja e bankës së nivelit të dytë në Vlorë ndodhi brenda pak minutash dhe për shkak të mekanizmit si u krye goditja, grupi hetimor deklaroi se bëhej fjalë për persona me precedentë në fushën e vjedhjeve.

Top Channel