Pakistan, shpërthimi në spital shkakton 42 të vrarë. Mes tyre avokatë dhe gazetarë

08/08/2016 00:00

Një shpërthim bombe ka lënë të vdekur 42 persona në një spital të qytetit të Quettas në Jugperëndim të Pakistanit. Dhjetëra të tjerë, bën të ditur policia, janë plagosur nga ky sulm, i cili ndodhi në hyrje të departamentit të emergjencave, ku trupi i pajetë i një avokati, të qëlluar për vdekje mëngjesin e së hënës, po sillej.

Mes viktimave janë regjistruar avokatë dhe gazetarë që po shoqëronin trupin e pajetë të Bilal Anwar Kasi. Menjëherë pas shpërthimit të bombës pati edhe të shtëna me armë, megjithatë, ende nuk është e qartë se cilët ishin agresorët.

Policia pakistaneze ka bërë të ditur dyshimet e tyre se bomba ishte aktivizuar nga një kamikaz.

Kasi, i cili ishte edhe president i një shoqate të Balochistanit, u qëllua për vdekje teksa ishte duke u kthyer në kompleksin e gjykatave në Quetta, siç raporton media lokale “Geo TV”.

Kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif e dënoi këtë sulm. “Asnjë nuk do të lejohet të shqetësojë paqen e kësaj province”, tha ai. “Njerëzit, policia, por edhe forcat e sigurisë kanë bërë sakrifica të mëdha për këtë vend”.

Ministri më i lartë i Balochistanit, Sanaullah Zehri tha se të plagosurit do të marrin ndihmën më të specializuar mjekësore në ambientet më të mira të mundshme. Në Quetta ka pasur kohët e fundit një sërë vrasjesh, të lidhura kryesisht me një kryengritje separatiste lokale, por edhe me tensionet mes sekteve të ndryshme dhe kriminalitetin.

Kasi kishte dënuar fuqishëm sulmet e kohëve të fundit dhe media lokale bën të ditur se ai kishte njoftuar bojkotimin për dy ditë të seancave gjyqësore, në shenjë proteste ndaj vrasjes së një kolegu të tij javën e kaluar.

Top Channel