“Bukë, kripë e zemër” në faqet e “Indipendent”

04/08/2016 00:00

Një tjetër lajm i mirë për turizmin në veçanti, por sidomos për kulturën kulinare shqiptare, është jehona e bërë në prestigjiozen “Indipendent”. Një udhëtim në shijen e hollë të kuzhinës shqiptare nga Elisabeth Gowing tregon përpjekjen e lëvizjes “slow food” që një grup shefash kuzhine në Shqipëri po e kthejnë në tendencë.

“Është diçka shumë pozitive që Shqipëria po e mbështetë këtë lëvizje ‘slow food’ e cila nisi në Fishtë të Lezhës. Është pozitive për shëndetin, por edhe për ekonominë e vendit. Lëvizja ‘slow food’ mbështet prodhuesin e vogël, prodhimin vendas dhe fermerin”, u shpreh Bledar Kola, shef kuzhine.

Megjithëse kanë kaluar katër vite qëkurse në Shqipëri është themeluar për herë të parë “Convivium Slow Food” nga Altin Prenga, sërish ka problem në gjetjen e produkteve vendas.

“Të punosh me filozofinë e ‘slow food’ është si kamikaz sepse duhet të rrezikosh shumë. Është më e lehtë të marrësh një prodhim që vjen nga vendet nordike për shembull sesa të gjesh një shegë që është e vendit”, vijoi Kola.

Nëpërmjet kësaj lëvizjeje këta shefa këmbëngulin të kthejmë sytë nga vlerat e kuzhinës shqiptare.

“Jufkat e kanë origjinën më të largët sesa spagetit. Në qoftë se ne e kemi këtë realitet të hidhur që kuzhina shqiptare nuk është e modernizuar dhe të shikojmë nga kuzhina italiane, atëherë jemi të papërgjegjshëm”, u shpreh Kola.

“Bukë, kripë dhe zemër të bardhë” shkruan “Indipendent”, duke u futur në palcën e traditës shqiptare, por sidomos duke rritur përgjegjësinë e njerëzve të kuzhinës.

Top Channel