Australia mohon abuzimin e azilkërkuesve

04/08/2016 10:50

Qeveria e Australisë mohoi fuqishëm akuzat se injoron me dashje abuzimin e azilkërkuesve. Reagimi i Kanberrës erdhi pas raportit të Amnesty International dhe Human Rights Watch që kritikuan kushtet në një kamp refugjatësh në kombin ishull Nauru.

Raporti doli në përfundimin se qeveria e Australisë toleron ose lejon me dashje abuzimin e refugjatëve, në mënyrë që të shkurajojë azilkërkues të ardhshëm. Por autoritetet nuk i kanë pranuar këto akzua dhe kritikuan organizatat për të drejtat e njeriut që nuk u konsultuan me qeverinë. Zyrtarë australianë thanë se ekzekutivi hedh poshtë me forcë shumë prej akuzave në raport dhe i kërkoi Amnesty International apo Human Rights Watch që të kontaktojnë me Departamentin e Emigracionit para se të bëjnë akuza të tilla.

Në një komunikatë zyrtare, Australia tha se nuk ushtron kontroll mbi ligjet e Naurut, një shtet sovran dhe se mirëpret çdo hetim të pavarur të kampeve të saj të emigrantëve. Por, sipas analistëve, raporti i organizatave humanitare nuk do të kishte asnjë kputim nëse më parë ato konsultohen me autoritet që akuzohen në të.

Kritikat ndaj Australisë janë shtuar gjithnjë e më shumë për abuzimet në kampet e emigrantëve, të cilat vërtetë nuk janë në territorin australian dhe nuk manaxhohen nga Australia, por kjo e fundit paguan Naurun për territorin dhe kompani private për manaxhimin e tyre. Raporti kritik u bë pas vizitave sekrete në Nauru nga organizatat humanitare, por ai nuk paraqet prova të dokumentuara për akuzat e tij. Rapoprti bazohet në intervista me azilkëruesit që akuzojnë banorët e ishullit për dhunë dhe autoritetet e tij për injorimin e këtij fenomeni.

Top Channel