Sulm me thikë në Londër, 1 e vdekur 6 të plagosur

04/08/2016 00:00

Një grua rreth të 60-ave ka gjetur vdekjen dhe gjashtë persona të tjerë janë plagosur gjatë mbrëmjes së të mërkurës në qendër të Londrës. Autori është një person me probleme të rënda të shëndetit mendor, por sulmi po hetohet edhe nga ekspertët e antiterrorit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në zonën e “Russel Square”, shumë afër vendit ku ndodhi sulmi terrorist i 7 korrikut të 2005-ës.

Polica ka konfirmuar se një 19-vjeçar është arrestuar, pasi është goditur nga një polic me pistoletë elektrike dhe ndodhet në spital nën mbrojtjen e policisë. Ekziston frika se autori ka vepruar në shoqërinë e bashkëpunëtorëve të tjerë, sipas medias vendase.

Ndërkohë, disa nga viktimat janë dëgjuar të flasin në spanjisht. Zona në qendër të Londrës, në afërsi të Muzeut Britanik,ku ka ndodhur sulmi ka shumë hotele dhe është mjaft e frekuentuar nga turistët.  Policia nuk përjashton edhe pistën e terrorizmit dhe ekspertë të antiterrorit po hetojnë ngjarjen e rëndë.

Sulmi ndodhi në ditën kur policia shtoi numrin e patrullimeve të armatosura me njësinë e re antiterror, në kuadër të planeve kundër terrorizmit. Të dielën shefi i policise Metropolitane paralajmëroi se një sulm terroirst në Britani ishte çështje kohe më shumë sesa do të ndodhte apo jo.

Britania prej vitesh ka mundur të shmangë sulmet terroriste si ato në shtete të ndryshme të Europës  kohët e fundit, ku ekspertët e sigurisë ia kushtojnë këtë suksesit dhe efikasitetit të punës së shërbimeve sekrete britanike.

Top Channel