Siri, rebelët hidhen në sulm në Alepo

03/08/2016 08:20

Luftimet e ashpra vazhdojnë në rrethinat e qytetit sirian Alepo, ku rebelët janë hedhur në ofensivë në përpjekje për të çarë rrethimin e ushtrisë. Që prej fundjavës, rebelët janë përpjekur që të bashkojnë një territor të rrethuar në lindje me zonat e tyre në perëndim të qytetit.

Ata shpërthyen edhe një bombë të madhe në pozicionet e ushtrisë në zonën strategjike Ramuseh. Në krahun tjetër, ushtria siriane, e ndihmuar nga avioacioni rus, po përpiqet që t’i ndalojë rebelët. Ndërsa palët ndërluftuese vazhdojnë të përleshen ashpër, rreth 300 000 civilë kanë mbetur të bllokuar në zonat e rrethuara rebele që prej muajit të shkuar, kur ushtria preu lidhjet e tyre me territorin e kontrolluar nga rebelët.

Komandantë të rebelëve thanë se bombardimet ruse e kanë frenuar ndjeshëm ofensivën, përndryshe ata do ta kishin mposhtur me shpejtësi ushtrinë e presidentit Bashar al-Asad. Tashmë, rebelët po e cilësojnë këtë “beteja e madhe epike për Alepon” dhe sipas ekspertëve është vërtetë kështu, pasi të rrethuara forcat antiqeveritare kishin vetëm dy zgjidhje, të prisnin vdekjen apo të hidheshin në sulm.

Edhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut e ka cilësuar këtë betejë si ofensivën më të madhe të rebelëve. Sipas aktivistëve në terren, viktimat janë me dhjetëra nga të gjitha palët luftuese, ku përfshihen rebelët, ushtarët qeveritarë dhe xhihadistët. Më herët, Rusia kishte lajmëruar hapjen e disa korridoreve humanitare për civilët që duan të largohen dhe rebelët që duan të dorëzohen, por shumë pak njerëz i kanë përdorur ato dhe është e qartë që situata do të zgjidhet po nga armët dhe jo diplomacia.

Top Channel