Emergjenca në Hong Kong, tajfuni paralizon vendin

01/08/2016 00:00

Hong Kongu po përballet me një nga emergjencat më të mëdha natyrore. Pas ishujve Filipine, tashmë tajfuni “Nida” është drejtuar drejt Hong Kongut, e më pas edhe në drejtim të jugut të Kinës. Të paktën 200 fluturime janë anuluar nga tajfuni, i cili ka shkaktuar erëra me shpejtësi deri në 150 km në orë.

Përveç aeroporteve, në vend janë mbyllur edhe shkollat. Mësimi është ndërprerë, po ashtu edhe shumë biznese e institucione punojnë me orare të kufizuara, ndërsa autoritetet kanë kërkuar lëvizje sa më të pakta derisa tajfuni të ngadalësohet.

Meteorologët kanë parashikuar shira të nje dendësie të lartë, të shoqëruara me vetëtima dhe erëra të fuqishme. Niveli i alarmit në vend është në pikën 8 dhe ka ngjyrë portokalli. Por nëse tajfuni vijon për më shumë ditë, ai do të arrijë nivelin më të lartë, pikërisht 10. Kjo do të shënonte herën e parë të një emergjence kaq të lartë natyrore, pas tajfunit “Vincente” që përfshiu vendin në korrik të vitit 2012.

Ndërkaq, ishujt Filipine që u goditën nga tajfuni “Nida” në fundjavë, i njohur ndryshe edhe si stuhia tropikale “Carina”, po vuajnë pasojat e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave. Agjencitë e ndihmave po transportojnë ushqime dhe ndihma për të gjithë banorët e bllokuar nga moti i keq.

Top Channel