Një vit në krye të Tiranës, Veliaj bën bilancin

29/07/2016 11:05

Kur ka mbushur plot një vit në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka bërë një bilanc të punëve të bëra dhe atyre që ka në plan të bëjë.

Veliaj thotë se Tirana është më e pastër, megjithatë pas një tjetër viti  do ta shndërrojë atë në qytetin më të pastër në Ballkan dhe se pastrimi tanimë do të bëhet nga vetë bashkia. Ndër projektet më të mëdha, ai përmend Bulevardin e ri të Tiranës.

“Jemi 1.1 kilometra në bulevard dhe besoj, për 500 metra teksa lirohet territori, do të kapin Lumin e Tiranës për t’i dhënë qytetit dyfishimin e shtyllës kurrizore. Edhe pjesa tradicionale e qytetit, si sheshi Skënderbej, që do të jetë zona më e madhe pedonale në Ballkan”, tha Veliaj.

Një tjetër arritje, Veliaj konsideron planin  e ri rregullues, të cilin kërkon që të miratohet në vjeshtë.

“Mirëpres që Këshilli Bashkiak të hapë diskutimin për planin e përgjithshëm rregullues, ta kalojmë në shtator. Tani që kaluam fazën e emergjencës, të fokusohemi në disa gjëra, sesi të ndërtojmë një pyll orbital me 2 mln pemë, të grupojmë aktivitetet dhe shërbimet rreth 7 qendrave të Tiranës dhe buxheti do të kalojë, në fakt do të jenë 7 buxhete”, u shpreh ai.

Gjatë një viti u rikonstruktuan 31 çerdhe, po ndërtohen shkolla, u mbollën 12 mijë pemë, por ambiciet për gjelbërim janë më të mëdha.

U dhanë banesat sociale dhe pritet të zhbllokohen kreditë e buta thekson Velia, kur premton se ndryshimi në kryeqytet do të jetë edhe më i dukshëm ..

Top Channel