Gjermani, e armatosura mësyn zyrat e punës në Këln. Policia në operacion

28/07/2016 00:00

Një person i armatosur raportohet të ketë hyrë në zyrat e punës në Këln të Gjermanisë, duke shkaktuar momente paniku e terrori, ndërkohë që një operacion policor kërkimi është duke u zhvilluar në këto momente.

Zyrat janë mbyllur momentalisht, ndërkohë që të gjithë punonjësit janë urdhëruar të qëndrojnë brenda tyre, për sa kohë që situata mbetet e pasqaruar në lidhje me vendndodhjen e autorit të dyshuar të armatosur.

Forcat Speciale të Policisë së qytetit të katërt gjerman për nga madhësia, janë duke kërkuar në agjencinë e punësimit gjatë kësaj të enjteje, pas njoftimit prej dëshmitarëve në vendngjarje që thanë se kishin parë një grua të armatosur, njofton zëdhënësi i policisë.

Ai shtoi se, policia sapo ka arrestuar një tjetër të dyshuar mbi një çështje që nuk kishte lidhje me agjencinë e punësimit, kur morën informacione mbi gruan që lëvizte nëpër ndërtesë e armatosur.

Informacionet janë kontradiktore, pasi “Bild” ka raportuar se operacioni është në vijim, ndërsa gazeta lokale “Express” bën të ditur për një burrë të armatosur në ndërtesë.

Ngjarja në Gjermani vjen vetëm pak, pasi Kancelarja Angela Merkel pati një diskutim me gazetarët, nga ku doli e vendosur në mbrojtje të politikës së saj të dyerve të hapura ndaj refugjatëve, pavarësisht 4 sulmeve që kanë tronditur vendin gjatë javës së kaluar.

Top Channel