Festa tradicionale e lakrorit në Korçë

24/07/2016 00:00

Lakrori me dy peta i pjekur në saç, i konsideruar si një prej gatimeve më të veçanta korçare, për të nëntin vit radhazi është ofruar për shijuesit e kulinarisë përmes “Festës së lakrorit”.

Mbrëmja e së shtunës mblodhi në fshatin Polenë të Korçës me qindra qytetarë, vizitorë e turistë në këtë festë. Për mbi 4 orë, amvisat përgatitën një prej gatimeve tradicionale korçare, duke u dhënë atyre mundësinë që jo vetëm ta shijojnë, por edhe ta shohin me sytë e tyre mënyrën e përgatitjes së tij.

Më tepër se 300 lakrorë u gatuan dhe u poqën mbrëmjen e së shtunës dhe më pas u tregtuan për të gjithë ata që kishin vendosur të shijonin një “copëz” Korçe.

Kjo festë është sjellë si një paketë e Bashkisë së Korçës, për të promovuar traditën e kuzhinës korçare dhe për të gjallëruar verën.

Sipas organizatorëve, “Festa e lakrorit” është shndërruar në një traditë të përvitshme.

Si një festë e vërtetë, ajo nuk solli vetëm shije, por edhe argëtim, teksa mes tavolinave dhe shijimit të lakrorit nuk mungoi as muzika, përbërësi kryesor i çdo feste.

Top Channel